Ushtarët e FSK-së dhe ata të FARSH-së trajnohen për HMWWV- nga ekspertët amerikanë

Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u mbajt sot ceremonia e certifikimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës  (FSK) dhe atyre të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), të cilët ndoqën trajnimin “Mirëmbajtja e HMWWV-ve 

Ky trajnim u mbajt nga data 20-24.05.2019 dhe ishte në vazhdën e planit dypalësh të FSK-së dhe FAFRSH-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Për realizimin e këtij trajnimi ishte i angazhuar një ekip prej gjashtë (6) ekspertëve nga Garda Kombëtare e IOWA- s dhe New Jersey, të cilët ofruan njohuritë nga përvojat e tyre në mirëmbajtjen e HMWWV-ve për pjesëtarët e FSK-së dhe FARSH-së.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe rreshter majori i Komandës së Forcave Tokësore (KFT) Fetah Zejnullahu, i cili në emër të tij dhe të komandantit të KFT-së,  gjeneral brigade Enver Cikaqi, shprehu falënderim të veçantë  për ekspertët amerikanë që mundësuan realizimin e këtij trajnimi si dhe për pjesëmarrësit të cilët treguan një angazhim mjaft të lartë gjatë këtyre ditëve. “ Ky aktivitet zë vend të rëndësishëm për FSK-në. Procesi rreth njohurive për mirëmbajtjen e HMWWV-të vetëm sa ka filluar, shpresoj që në të ardhmen të shohim në detaje edhe për mundësi të tjera për trajnime të avancuara në nxënien e sa më shumë njohurive rreth  HMWWV-ve”.

Ndërkaq,  njëri nga instruktorët e këtij trajnimi u shpreh se ndihet i privilegjuar që ishte pjesë e trajnimit njëjavor me pjesëtarët e FSK-së dhe FARSH-së, të cilët siç u shpreh ai, kanë  shfaqur interesim dhe entuziazëm të jashtëzakonshëm që të fitojnë sa më shumë njohuri nga përvojat amerikane.

Organizimi, realizimi  dhe bashkëpunimi ndërmjet pjesëmarrësve gjatë këtij trajnimi u cilësua mjaft lart edhe nga shefi i Seksionit të Auto Shkollës në Komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, major Ilir Çerpija. “Organizimi ishte në mënyrën më të mirë të mundshme, trajnimi ishte mjaft i vlefshëm si për përdorimin po ashtu edhe për mirëmbajtjen e HMWWV-ve, si dhe instruktorët dhanë çdo gjë nga vetja e tyre që ne të aftësohemi sa më shumë. Ndërsa vlera këtij trajnimi ju shtua edhe më shumë pasi që ishte trajnim i përbashkët mes nesh dhe FSK-së, ku patëm mundësinë të njehsojmë edhe gjuhën teknike dhe të jemi të gatshëm për çdo bashkëpunim që kërkohet “.

Pjesë e këtij trajnimi ishin 10 pjesëtarë të FSK-së dhe 9 pjesëtarë të FARSH-së, të cilët patën mundësi që të marrin njohuri si në teori ashtu edhe në praktik rreth mirëmbajtjes fillestare, përcaktimit të roleve dhe përgjegjësive, vlerësimit të misionit të mirëmbajtjes dhe identifikimin e trajnimeve bazë të mirëmbajtjes.

Në fund të ceremonisë, në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për angazhimin dhe profesionalizimin e treguar gjatë kësaj periudhe, trajnerët amerikanë u shpërblyen me certifikata nga rreshter majori Fetah Zejnullahu.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
     1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30