Admirali amerikan James Foggo vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama pritën sot në takime të ndara, në Ministrinë e Mbrojtjes, komandantin e Komandës së Bashkuar të Aleancës në Napoli, Admiralin James Foggo. Fillimisht, admirali amerikan Foggo i shoqëruar edhe nga komandanti i KFOR-it, gjeneral major Lorenzo D’Addario, u prit me ceremoni ushtarake nga Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama dhe oficerë të lartë të FSK-së.

Më pas, u zhvillua takimi ndërmjet Ministrit të Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe admiralit amerikan Foggo. Takimi u fokusua në situatën e sigurisë në Kosovë e rajon, tranzicionin e FSK-së, bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët strategjikë si dhe qëllimin e palëkundur të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe fokusimin në ndërtimin e kapaciteteve që garantojnë paqen në vend, rajon e më gjerë.

Ministri Berisha e njoftoi admiralin Foggo rreth procesit transparent të transicionit të FSK-së dhe koordinimin e vazhdueshëm me partnerët strategjikë. Ai i theksoi se “Në bashkëpunim me partnerët, kemi përgatitur Planin Gjithëpërfshirës Transitor. Zbatimi i këtij plani është gradual, gjatë 10 vjetëve të ardhshme, dhe ndahet në 3 faza. Ministria e Mbrojtjes është e përkushtuar që tranzicioni të bëhet në mënyrën e duhur dhe ky proces merr kohë. Janë përmbushur detyrat e fazës së parë A 120 + ditësh të Planit Gjithëpërfshirës Transitor sa i përket infrastrukturës ligjore dhe administrative’’.

Më tej, ministri i Mbrojtjes  çmoi lart bashkëpunimin dhe koordinimin që kemi tash e 20 vjet me misionin e KFOR-it në Kosovë, të cilët kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, si ekipin e NALT-it për koordinimin dhe këshillimin e vazhdueshëm në çdo hap të ecjes tone përpara.

Ministri Berisha përsëriti zotimin se FSK-ja edhe me mandatin e ri do të jetë forcë profesionale, multi-etnike dhe e besueshme, ku diversiteti është dhe do të mbetet vlerë, ku barazia është për të gjithë. Ministri shtoi se për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, qytetarët e Kosovës janë të gjithë të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë. FSK-ja për vite me radhë është institucioni që gëzon besimin më të lartë në Kosovë nga qytetarët’, deklaroj Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha.

I pari i Ministrisë së Mbrojtjes në fund të takimit me admiralin amerikan, theksoi se Republika e Kosovës është përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe bashkëpunim me të gjithë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha vendet e rajonit që janë anëtare të NATO-s dhe ato që aspirojnë anëtarësim në NATO. Ne jemi të bindur se paqja e përhershme arrihet me anëtarësimin e secilit shtet të rajonit në NATO.

Nga ana e tij, komandanti i Komandës së Bashkuar të Aleancës në Napoli, admirali James Foggo, përgëzoi ministrin dhe komandantin për të arriturat e FSK-së dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me ekipin e NALT-it.  Në veçanti shprehu admirimin e tij për profesionalizmin e lartë të pjesëtarëve të FSK-së. Ndër tjera, admirali e ka konsideruar sukses të jashtëzakonshëm të Kosovës pjesëmarrjen e FSK-së me dy kadetë në Akademinë Ushtarake Amerikane West Point si dhe angazhimet tjera në të mire të zhvillimit të gjithmbarshëm të institucionit dhe shoqërisë.

Ndërsa, në takimin e komandantit të FSK-së, gjeneral Rama me Admiralin amerikan Foggo, u vlerësua lartë kontributi i NATO-s përmes KFOR-it dhe NALT-it në mbështetje të këshillimit dhe zhvillimit profesional të Forcës së Sigurisë të Kosovës. 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
     1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30