Ministri Rrustem Berisha bëri homazhe në Ambasadën e Shqipërisë në përkujtim të dy ushtarakëve të rënë gjatë misionit të paqes në Letoni

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, z. Rrustem Berisha, sot vizitoi Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë për të bërë homazhe me rastin e rënies në krye të detyrës të Major Klodian Tanushit dhe ushtarakes Nëntetare Zarife Hasanaj, gjatë misionit të NATO-s në Letoni. Pas homazheve ministri z. Berisha u nënshkrua në Librin e Zisë.

Ministri Berisha u prit nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, z. Qemal  Minxhozi, të cilit në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe të Ushtrisë së Kosovës i shprehu ngushëllimet më të thella për humbjen e jetës së dy oficerëve të Shqipërisë, gjatë kryerjes së misionit të tyre në Letoni, dhe përmes tij edhe ministres së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, znj. Olta Xhaçka dhe familjarëve të tyre.

Në Librin e Zisë, ministri Rrustem Berisha, shkroi:

“Major Klodian Tanushi dhe Nëntetarja Zarife Hasanaj, si dëshmorë të paqes dhe sigurisë, na treguan të gjithëve se edhe mbrojtja e paqes kalon nëpër sakrifica dhe përballje me rrezikun për përmbushjen e detyrave ushtarake. Lavdi e përjetshme për dëshmorët më të rijnë të kombit shqiptar, Heronjtë e Paqes Major Klodian Tanushi dhe Nëntetare Zarife Hasanaj“.

Ministri Berisha në fund u shpreh se: „edhe populli shqiptar po kontribuon për paqe dhe siguri, ashtu siç kanë kontribuar të tjerët për lirinë e Kosovës. Edhe FSK-ja në të ardhmen do të jetë e gatshme që mos të jetë vetëm konsumues i sigurisë, por edhe kontribuues aktiv i saj. Edhe njëherë  u shprehu ngushëllime familjeve, institucioneve dhe gjithë popullit shqiptar”.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31