Forca e Sigurisë së Kosovës zhvilloi gara sportive për nder të Ditës së Forcës

Me qëllim të festimit të Ditës  së Forcës në mënyrë sa më të denjë, edhe këtë vit janë realizuar aktivitete të shumta sportive në të gjitha kazermat e  Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ekipet garuese nga të gjitha njësitë e FSK-së që nga 1 nëntori garuan në 6 disiplina sportive: Futboll, Volejboll,  Atletikë, Ping Pong, Shah dhe Shenjëtari.

Ceremonia e përfundimit të garave sportive dhe shpallja e rezultateve të tyre,  u zhvillua sot në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Për t’i përcjellë  aktivitetet e fundit të garave kishin ardhur edhe zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore ( KFT ), gjeneral brigade Xhevahir Geci, komandantët e njësive si dhe oficerë dhe nënoficerë të FSK-së.

Të pranishmëve me një fjale rasti ju drejtua zv. komandanti i KFT-së gjeneral  Xhevahir Geci, i cili i përgëzoi  organizatorët dhe pjesëmarrësit  e garave për paraqitjen dhe rezultatet e arritura në këto gara.  “ Çdo  lojë ka rëndësinë e vet por, kjo e sotmja ka vlerë të lartë  pasi organizohet për nder të ,,Ditës së Forcës” Ne të gjithë pamë një paraqitje  mjaft të mirë të dy ekipeve finaliste dhe gjithashtu një frymë sportive gjatë  realizimit të  garave në përgjithësi” .

Gjeneral Geci i uroi të gjitha ekipet dhe të gjithë  garuesit për sukseset e arritura, disiplinën dhe  angazhimin e tyre gjatë garave. Ai njëherësh i  përgëzoi  referat dhe organizatorët për punën e  tyre të shkëlqyer.

Në  Futboll, pas një loje  mjaft dinamike, atraktive dhe me aksione të shpejta, fitues doli ekipi i Policisë së Forcës, i cili e mundi ekipin e Xhenios të Brigadës së Mbështetjes Operacionale ( BMO ), në Volejboll çmimin e parë e fitoi ekipi i Batalionit të Tretë të BRSH-së, në Shenjëtari vendi i parë i takoi tetarit Gëzim Osmani nga BRSH-ja, në Shah më i miri u zgjodh kapter Ferit Zhdrella (KDS), në Atletikë në kategorinë e meshkujve vendin e parë e zuri ushtari Alban Fazliu i BRSH-së, përderisa në kategorinë e femrave vendi i parë i takoi tetarë Mimoza Morinës nga KDS-ja, ndërsa në kategorinë e Ping Pongut  çmimin e parë e mori kapter Arsim Idrizi nga NJNRK-ja .

Mirënjohje dhe medalje u ndanë edhe për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtyre garave mjaft të rëndësishme të zhvilluara në prag të festave të nëntorit dhe Ditës së Forcës.

Gjatë gjithë kohës së realizimit të këtyre garave, pjesëmarrësit garues shfaqen një frymë garuese sportive dhe treguan një përgatitje mjaft të lartë fizike dhe profesionale.

 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31