Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës hapi punimet Konferenca e 9-të ,, FSK dhe Partnerët ’’

Nën organizimin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës sot, hapi punimet  Konferenca e 9-të dy-ditore ,,FSK dhe Partnerët’’. Në konferencë po marrin pjesë ambasadorë dhe atashe të shteteve partnere të akredituar në vendin tonë, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Kroacia, Turqia, Mali i Zi, Sllovenia, Italia, Çekia, Franca etj.

Në hapje të konferencës ishin të pranishëm kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj,  ministri i FSK-së Rrustem Berisha, zëvendësministrat Agim Çeku dhe Burim Ramadani, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, Sekretari i përgjithshëm Z. Shkëlzen Sylaj, gjeneralë të FSK-së, atashetë e FSK-së, zëvendëskomandanti i KFOR-it gjeneral Reinhard Ruckenstuhl, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës  gjeneral Timothy Orr, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për MFSK/FSK gjeneral Uwe Becker si dhe ambasadorë dhe atashe të shteteve mike dhe partnere nga rajoni, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konferencën “FSK dhe Partnerët” e hapi ministri i FSK-së z. Rrustem Berisha, i cili  së pari i falënderojë përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse të konferencës për bashkëpunimin e shkëlqyer,  gatishmërinë  e treguar  për harmonizimin  e aktiviteteve të përbashkëta dhe mbështetjen e tyre  të pakursyer në vazhdimësi  për FSK-në.

,, Përgjatë këtyre viteve Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës ka zhvilluar partneritet të fuqishëm dhe të sinqertë me NATO-n përmes KFOR–it dhe NALT-it. Tani jemi në fazën e vendimmarrjes politike për fillimin e procesit e tranzicionit, proces ky i cili është duke ndodhur pikërisht në dhjetë- vjetorin e krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Procesi i tranzicionit do të jetë proces gradual dhe do të zhvillohet sipas rekomandimeve të dala nga Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë. Ne jemi zotuar që do të jemi  ofrues të sigurisë dhe jo vetëm konsumues të saj, duke përfshirë këtu edhe qëllimin e shtetit të Kosovës për anëtarësim përfundimtar në NATO’’,- u shpreh ministri Berisha .

Kryeministri i vendit, z. Ramush Haradinaj duke çmuar lart rolin e shteteve partnere të FSK-së tha:,, Tranzicioni i FSK-së, si proces legjitim, është në përputhje me interesin e komuniteteve joshumicë për më shumë siguri, garanton shumë-etnitet e profesionalizëm, partneritet të qëndrueshëm me KFOR-in dhe NATO-n, dhe gatishmërinë e plotë për të marr pjesë në ruajtjen e paqes dhe lirisë çdo kund në botë. Kosova, si anëtar aktiv i koalicionit global kundër terrorizmit, në rrugë të anëtarësimit në Interpol dhe me synimin për t’u bërë anëtar i NATO-s, do të jetë partner kredibil përkrah aleatëve strategjikë të saj, në ofrimin e sigurisë rajonale dhe globale’’.

Ndërkaq,  kryeparlamentari Kadri Veseli foli  për punën që ka bërë institucioni që ai drejton lidhur me këtë temë: "Ne në Kuvend tani më kemi proceduar tri ligje të nevojshme dhe  do të lëvizim bashkërisht në partneritet. Ne do të jemi me ju. FSK për ne është krenaria e Kosovës, ndërsa për ju do të jetë krahë i fuqishëm.  Paqja dhe partneriteti do të vazhdojnë edhe  në të ardhmen", tha  nder të tjera Veseli.

Ndërsa, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, duke iu drejtuar të pranishmëve tha: "Bashkëpunimi bilateral është jetik për FSK-në. Ne jemi në procesin e tranzicionit, çdo gjë është në harmoni me kushtetutën. Ju sigurojmë që FSK-ja është një organizatë profesionale. Jemi duke punuar për një të ardhme me të mirë për qytetarët tanë. FSK-ja sot qëndron e gatshme për të marrë pjesë në misione për paqe. Ne do të jemi një histori suksesi për Kosovën. Ne kemi filluar me ju dhe do të vazhdojmë me ju",  tha gjeneral Rama  .

Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral Timothy Orr u shpreh se bashkëpunimi dhe partneriteti me FSK-në do të vazhdojë dhe do të intensifikohet në të ardhmen dhe se ashtu siç disa prej ushtrive të shteteve të Ballkanit që morën pjesë në misione paqësore së bashku me shtetet nga SHBA, pra në kuadër të kontingjenteve të tyre ashtu edhe FSK-ja do të jetë së bashku me Gardën e Ajovës.

Në konferencë po ashtu folën edhe zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral Reinhard Ruckenstuhl dhe drejtori i NALT-it, gjeneral Uwe Becker.

Më pas,  koloneli Jeton Dreshaj prezantoi lidhur me procesin e tranzicionit të MFSK-së  dhe FSK-së.

Po ashtu, me nga një fjalë audiencës iu drejtuan edhe ambasadorja e Republikës së Turqisë, zonja Kivilcim Kiliç, ambasadori i Malit të Zi zotëri Ferhat Dinosha si dhe ambasadorë të tjerë.

Konferenca e 9-të ,,FSK dhe Partnerët” do të vazhdojë punimet me takimet dypalëshe të FSK-së me delegacionet e shteteve partnere, ku do të diskutohen aktivitetet si dhe do të harmonizohen planet dypalëshe

.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
     1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30