Delegacioni i FSK-së pritet në Washington DC nga Senatorja Joni Ernst

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës z. Burim Ramadani dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  janë pritur nga senatorja Joni Ernst në Washington D.C.   

Në takimin që zhvilloi delegacioni i MFSK-së me senatoren nga Iowa u diskutua për angazhimet e përbashkëta Kosovë-SHBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe për aftësimin e Kosovës në përballje me sfidat rajonale dhe globale.
         
Zëvendësministri Ramadani vuri theksin tek orientimi i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e kapaciteteve të FSK-së në mandatin ushtarak dhe të mbrojtjes bazuar në standardet amerikane.

"Për Kosovën është jetësore  të vazhdojë ndërtimi i FSK-së me standarde amerikane në doktrinë, lidership, sistem të armatimit dhe në pajisje", tha zëvendësministri Ramadani, duke shprehur orientimin e Kosovës për partneritet të plotë me SHBA-të.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, nënvizoi gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në sigurinë  e rajonit dhe më gjerë.              

"FSK është e gatshme të fillojë tranzicionin në mandat ushtarak, duke u bazuar në Planin afatgjatë që e kemi të koordinuar. FSK-ja do të vazhdojë të jetë profesionale, shumetnike, e besueshme dhe e gatshme", tha gjeneral Rama.

Ndërkaq, senatorja Ernst shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e saj për vazhdimin dhe  mbështetjen e  Kosovës  në ndërtimin e kapaciteteve për siguri dhe mbrojtje.

Në takimin me senatoren Ernst mori pjesë edhe ambasadorja Vlora Çitaku, shefi i kabinetit të Ministrit të FSK-së Jashar Ramadani, atasheu i Mbrojtjes së Kosovë kolonel Ilir Qeriqi, diplomati Frymëzim Isufaj dhe atasheu amerikan i Mbrojtjes në Kosovë koloneli Ryan Nichols.

Delegacioni i MFSK-së po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA lidhur me avancimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-SHBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31