Ministri FSK-së priti zotin John Manza zëvendës asistentin e Sekretarit Gjeneral të NATO-s për çështje operacionale

Ministri i FSK-së Rrustem Berisha së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, të shoqëruar nga zyrtarët  dhe eprorë të  lartë të ministrisë dhe FSK-së, pritën një delegacion të lartë të NATO-s të kryesuar nga zoti John Manza zëvendës asistent i  Sekretarit Gjeneral të NATO-s,  i cili shoqërohej në takim edhe nga zëvendës shefi i  Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s (NALT) zoti Mark Theobald.

Ministri Berisha  ka vlerësuar lartë shkallën e bashkëpunimit të deri tashëm me NATO-n si dhe ka falënderuar për kontributin e NALT-it në MFSK dhe FSK si dhe bashkëpunimin e mirë me KFOR-in. Ai ka theksuar bashkëpunimin e mirë me shtet fqinje, posaçërisht  me ato shtete që kemi të nënshkruar marrëveshje bilaterale bashkëpunimi. Me këtë rast ai ka folur edhe për suksesin e integrimit të komuniteteve pakicë në FSK, posaçërisht të komunitetit serb. Ministri Berisha ka kërkuar  që të ketë përkrahjen e NATO-s për anëtarësim të Kosovës në nismat regjionale të Sigurisë. Më tej ministri Berisha ka folur edhe për përgatitjet që janë bërë në procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura, por duke qenë të përkushtuar që gjithçka të jetë e koordinuar me partnerët strategjik.

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama në fjalën e tij e njoftoi delegacionin e lartë nga Brukseli, me aktivitetet në FSK si; për sukseset e kadetëve në vendet e ndryshme të botës; për sukseset e FSK-së në fushat operacionale; nivelin e stërvitjeve me standarde të NATO-s;  pjesëmarrjen e FSK-së në trajnime dhe ushtrime fushore ndërkombëtare; për  përgatitjet për konferencën vjetore të prillit “FSK dhe partnerët”;  për përgatitjet për mbajtjen e ushtrimit fushor “Shqiponja -6”,  ku do jenë pjesëmarrëse edhe 12 shtete partnere të Kosovës. Në fjalën e tij theksoi se  FSK ka bërë të gjitha përgatitjet dhe  planet  për transformimin e FSK-së dhe pret vendimin politik. Si prioritet komandanti i FSK-së shtroi kërkesën që FSK-ja të jetë ofrues i sigurisë përmes Operacioneve të Mbështetjes së Paqes.

Nga ana e tij zëvendës asistenti i Sekretarit Gjeneral të NATO-s zoti John Manza u shpreh i kënaqur  nga arritjet e FSK-së, duke  vlerësuar se, si institucion i ri keni ecur shumë përpara. Ju keni bërë gjithçka në mënyrën e duhur. Si FSK jeni të përfaqësuar shumë lartë nga performanca e kadetëve tuaj në akademitë ushtarake jashtë vendit. Keni bërë punë të shkëlqyer me integrimin e komuniteteve pakicë. Ndryshimet për transformimin e FSK-së duhet të bëhen mbi bazën kushtetuese. Të jeni të fokusuar dhe  përqendruar në arritjen e synimeve afatgjata.

Dy delegacionet u pajtuan që bashkëpunimi Kosovë - NATO, duhet të thellohet në fushat ku ekziston mundësia.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31