Zbulohet pllaka përkujtimore në nderim të ushtarëve të NATO-s dhe KFOR-it

Me një ceremoni shtetërore, nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sot në qendër të kryeqytetit të Kosovës në Prishtinë, u bë zbulimi i pllakës përkujtimore në nderim të ushtarëve të NATO-s dhe KFOR-it të rënë në Kosovë që nga 12 qershori 1999.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin: Kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendës asistenti i sekretarit të NATO-s, John Manza, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Ralf Hoffmann, ambasadori i SHBA-ve, Greg Delavie, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Conell,  disa nga ish- komandantët e KFOR-ti, gjeneralët Buhler, De Marnak, etj., ambasadorë të shteteve të akredituar në Kosovë, ministra, deputetë e mysafirë të tjerë.

Me këtë rast, ministri Berisha tha: "U bënë 19 vite  nga koha kur NATO udhëhoqi operacionin për mbështetjen e paqes në Kosovë, operacion ky që ktheu shpresën për liri dhe siguri. 12 qershori i vitit 1999 do të mbetet përjetësisht në historinë më të re të Kosovës, si dita e kthimit të shpresës kur e përjetuam lirinë dhe çlirimin. Që nga ajo ditë Bota dhe miqtë tanë liridashës na ofruan bindjen që ne nuk jemi vetëm në holokaustin që po përjetonim. Me mijëra ushtarë dhe paqeruajtës na ndihmuan të ndalohej gjenocidi ndaj popullit shqiptar dhe bashkërisht të ndërtonim një Kosovë të re, si shtet i pavarur dhe sovran me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj’’.

"Monumenti që ndërtuam në kujtim të 15 ushtarëve të rënë që nga viti 1999 e deri më sot është shumë pak për të falënderuar ata që bënë aq shumë për ne, por është gur i garancisë dhe miqësisë së përjetshme ndërmjet Kosovës dhe popujve paqeruajtës në Ushtrinë e NATO-s dhe djemve tanë më të mirë që kontribuuan në rrugëtimin drejt lirisë sonë. Në cilësinë e Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, falënderoj nga zemra familjarët e ushtarëve të rënë në krye të detyrës në territorin e Republikës së Kosovës, duke i siguruar ata se do të mbeten përjetësisht pjesa e jona e çmuar drejt paqes dhe prosperitetit.

"Falënderojmë NATO-n, KFOR-in dhe shtetet mbështetëse për kontributin e dhënë për një mjedis të qetë e të sigurt, për mbështetjen e vazhdueshme që po japin në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Së bashku Kosova dhe NATO-ja kanë të arritura të shumta dhe me të drejtë mund të krenohemi me arritjet tona të përbashkëta. Memoriali që po zbulojmë sot do të mbetet jo vetëm si testament për ata që kanë bërë sakrificën përfundimtare, por edhe për angazhimin tonë të përbashkët në interes të ndërtimit të paqes dhe stabilitetit’’.

Në fund, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në iniciativën dhe në ndërtimin e këtij obelisku, duke u shprehur: "Kemi nderin dhe respektin që përjetësisht ta ruajmë kujtimin për paqeruajtësit tanë,  ata që e dhanë jetën për ta ruajtur jetën’’.

Pas fjalëve përshëndetëse të kryeministrit Haradinaj, komandantit të KFOR-it, gjeneral Cuocci-t  dhe zëvendës asistentit të sekretarit të NATO-s, John Manza, u bë zbulimi i pllakës përkujtimore të ushtarëve të KFOR-it dhe NATO-s të rënë në Kosovë.

Në Obeliskun me stemë të NATO-s dhe KFOR-it, në gjuhën  shqipe, angleze dhe serbe, shkruan: ‘’Në kujtim të burrave dhe grave që kanë shërbyer me partnerët e tyre në KFOR dhe kanë dhënë jetën si rezultat i shërbimit të tyre. Ne nderojmë dhe përkujtojmë sakrificën e tyre.’’​

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30