FSK-ja prezantoi të arriturat dhe sfidat në konferencën ,,Kosova e sigurt dhe e mbrojtur”

Sot në mjediset e Qeverisë së Kosovës, nën organizimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, u mbajt mbledhja prezantuese me temë: “Kosova e sigurt dhe  e mbrojtur”.

“Kosova ka arritur nivelin e zhvillimit, i ka përmbushur argumentet e nevojshme që të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës, por duhet të vendosë për mënyrën e ecjes përpara”, kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj, në takimin prezantues për arritjet dhe planet për sigurinë në përgjithësi, me theks të veçantë për FSK-në, me ambasadorët e akredituar në Kosovë, me temë “Kosova e mbrojtur dhe e Sigurt”.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve theksoi se Kosova është e gatshme që nga një absorbues i sigurisë, të kthehet në kontribuues të sigurisë, në planin e brendshëm, planin rajonal dhe atë global.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se të gjitha institucionet e vendit janë duke punuar për të shpjeguar gjendjen e FSK-së, të arriturat, veçanërisht të vërtetën se FSK-ja është forcë shumetnike, në të cilën shërbejnë edhe serbët e Kosovës.

“Është paraparë që ndryshimet kushtetuese, fuqizimi i mandatit të FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve të neneve kushtetuese. Unë mendoj se argumentet për të marrë besimin e të zgjedhurve serbë, në këtë rast të Listës Serbe, vërtetë janë plotësuar, mirëpo vendimi është politik”,- tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, përmendi faktin se Qeveria ka kaluar nëpërmjet procesit të diskutimit me të gjitha partitë politike dhe komunitetet etnike brenda vendit. “ Kemi  pasur dialog edhe  me të gjithë partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë dhe jemi  për  të vazhduar me dialog. Kosova është shtëpia jonë, prandaj dëshirojmë të konfirmojmë para jush përkushtimin tonë, se jo vetëm FSK-ja e sotme, por edhe ushtria e ardhme e Kosovës është forca e çdo qytetari që jeton brenda vendit, është partneritet për paqe,  për siguri në rajonin tonë. Kyjo është vetëm një plotësim i mandatit të KFOR-it brenda vendit. Ne nuk dëshirojmë të jemi në konflikt me mandatin e KFOR-it. KFOR-i është i mirëseardhur tash e gjithmonë si forcë që ndihmon në sigurinë  e vendit dhe të rajonit, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Mbledhjen e udhëhoqi zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, ndërsa, koloneli Jeton Dreshaj, këshilltar ushtarak i Komandantit të FSK-së, elaboroi të arriturat e përgjithshme të FSK-së.

Në emër të Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, foli Blerim Shala.

Në mbledhjen “Kosova e sigurt dhe e mbrojtur” morën pjesë ambasadorët e akredituar në Kosovë, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, drejtori i NALT-it, gjenerali Ralf Hoffmann, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të sigurisë në vend.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
 1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31